Mes debateve nga opozita, Kuvendi miratoi sot ndryshimet në qeveri. Gjatë votimit të dekreteve, deputeti socialist Erion Braçe ka votuar kundër shkarkimit të Olta Xhaçkës si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Votimi për shkarkimin e Olta Xhaçkës si ministre mori 95 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Ndryshe nga hera e parë teksa u shtang kur e mori vesh emërimin në asamble, sot Anila Denaj ishte e qeshur. Emri i Frida Krifcës u shoqërua me brohoritje kundër nga opozita. Ministrja e re e Shëndetësisë Albana Koçiu u shfaq e emocionuar.
Të pranishëm ishin edhe Arbi Mazniku që do të drejtojë Pushtetin Lokal dhe Igli Hasani në krye të Ministrisë së Jashtme. Në seancën tjetër do të votohet Ervin Mete, pasi sot u shkarkua nga posti i kreut të AMF-së.