Zjarri është drejt neutralizimit në Tiranë në pallatin pranë ish-Parkut të Autobusëve. Drejtori i shërbimit të zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj tha se fatmirësisht nuk ka banorë të lënduar. Dy zjarrfikëses kanë pasur probleme të vogla por janë mirë.
Theksoi se ky është një rast i rrallë në Tiranë, pasi zjarri u përhap nga fasada. Shkaqet nuk dihen ende, por deklaroi se në momentin e parë ka konstatuar zjarr në katin e dytë dhe të fundit, por që nuk dihet nëse nisi në tarracë apo poshtë.
“Zjarri është nën kontroll. Po shkon drejt izolimit. Po vazhdojmë me vatrën e fundit në një banesë. Mori përmasa të shpejta në katin e dytë të objektit deri në tarracë. Bëmë evakuimin e qytetarëve. Nuk kemi qytetarë të lënduar. Zjarri ka bërë dëm shumë të madh.
Nuk mund të flasim tani për shkakun e zjarrit dhe rezultatin përfundimtar. Janë ekspertët që do ta zbulojnë. Është dëmtuar fasada e objektit dhe dy banesa. Ky ishte një rast i rrallë në Tiranë që zjarri mori përmasa të mëdha nga fasada që e ka përhapur vatrën” tha ai.