Virusi Covid-19 është rikthyer sërish në Kosovë. Të mërkurën, Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar, se brenda dy javëve, 67 persona janë infektuar me COVID dhe një person ka vdekur.
Infektologu, Ilir Tolaj tha se mund të rritën rastet edhe më shumë se kaq. Tolaj thotë se Covid-19 mund të jetë i përjetshëm në mesin tonë.
“Po është e mundur. Covid-19 tash është sëmundje endemike e cila do të jetë për një kohë të gjatë në mesin tonë ndoshta edhe përjetësisht.
Rrjedhimisht do të kemi periudha kur numri i të infektuarve do të shtohet dhe periudha kur ky numër do të jetë më i vogël”, tha Tolaj për Front Online.
Sipas tij, ky lloj i infektimit mund të krijohet edhe në sezonalitet.
“Është e mundur që në të ardhmen të krijohet edhe një ecuri e caktuar brenda vitit një sezonalitet i caktuar dhe e gjithë kjo është krejtësisht normale kur është fjala për këto lloj infeksionesh”, ka thënë Tolaj.