Sekuestrohen në Shkodër dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil.
Vihet në pranga poseduesi i tyre, Gjon Marashi i cili në momentin e ndërhyrjes nga policia u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij. Sipas policisë Marashi u kap falë informacioneve në rrugë operative.
“Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar” njofton policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.