Komisioni i Ekonomisë është përfshirë nga debatet e forta në mbledhjen e sotme ku i pranishëm ishte Artan Shyti, ish-kryetar i shoqatës së basteve sportive.
Deputeti Erion Braçe i kërkoi që të flasë dhe të tregojë se kush po i organizon bastet e paligjshme tani që nuk është votuar ende rihapja.
Ai foli për kërcënime që kishte marrë në 2018 kur u mbyllën. Akuzoi për policë të korruptuar që mbyllin sytë.
“Në vitin 2018 këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. Qartazi fare. Ti (i drejtohet Artan Shytit) nuk je i lidhur me krimin, por mua më vjen habi se t’i nuk duhet të përfaqësosh krimin këtu.
Gjithë çfarë thatë këtu “që po nuk u kthyen kompanitë që ishin kjo do të mbetet informale” është perceptuar shantazh shumë i qartë. Këtë aktivitet e kishte në dorë krimi.
Ju e dini që me përjashtim të një kompanie, të gjithë të tjerët u detyruan t’i shisnin ose t’i linin. Vetëm një kompani refuzoi që të shiste biznesin. U detyruan që përmes dhunës së krimit.
Unë dhe ca njerëz në këtë komision dhe në 2018 te komisioni i Ekonomisë e dinë mirë çfarë kanë hequr nga burgu deri nga zgëqet e Tiranës dhe Shqipërisë duke kërcënuar kalamaj dhe shtëpi me radhë.
Dini gjë ju tani, kush po luan dhe kush e organizon këtë aktivitet, që ne t’i nxjerrim nga errësira dhe t’i legalizojmë? Ju thatë që po luhet, kush po luan, kush po e bën?
Këta që e bëjnë sot, çfarë janë? Policë të korruptuar, prokurorë dhe gjyqtar, ishin pjesë e lodrave të tilla nga kazinotë brenda dhe deri te bastet u bënë pjesë e këtij procesi ilegal” tha ai.
Bastet/ Shyti: Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, skema dështon!