Nis rënia e konsumit të brumërave, bukës dhe ëmbëlsirave pas përfundimit të sezonit turistik.
Me rënin e fluksit të turistëve të huaj dhe largimin e emigrantëve, në dyqanet e tregtimit të bukës, produkteve të tjera të brumit dhe pastiçerive ka nisur të ndihet rënia e kërkesës.
Prodhuesit e furrave të bukës dhe ëmbëlsirave pohojnë se në 2 javët e para të muajit shtator kërkesa ka rënë deri 20% krahasuar me muajin gusht, ku u shënua rritje e lartë konsumi e ndikuar nga ardhja e turistëve.
Nga përfaqësues të kompanisë “Xhorxh Bush Bakery” në Fushë-Krujë dhe Krujë u pohua për Monitor se aktualisht kërkesa si për produktet e brumit dhe pastiçerive është 10 deri 20% më pak krahasuar me muajt e sezonit turistik. Ndërsa në raport me muajin shtator 2022 kërkesa shfaqet e njëjtë. Sipas tyre në muajt e verës pati shtim të lartë të kërkesës për shkak të fluksit të madh të turistëve.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në Tiranë. Nga “Caka Kompani” u tha se krahasuar me muajt e verës kërkesa për produktet e brumit shfaqet me rënie për shkak të largimit të turistëve. Edhe sipas këtij prodhuesi kërkesa nuk ka shënuar tkurrje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Sipas tij rritje më të lartë të kërkesës për produktet e brumit përgjatë stinës së verës pati në zonat bregdetare si Durrës dhe Lezhë. Deri në fund të muajit shtator parashikimet e operatorëve mbeten optimiste për shkak të kërkesës së lartë nga strukturat e hotelerisë. Për muajt në vazhdim prodhuesit nuk presin rritje të kërkesës, për shkak të largimit të popullatës./Monitor
Artikulli i plotë këtu.