Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka vizituar sot vendin e ngjarjes në fshatin Banjskë, aty ku edhe ndodhi sulmi terrorist ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
Hoxha, gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës.
“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim,” thuhet në njoftim.
Hoxha u interesua rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve nga njësitet policore dhe siguroi që PK-ja do të vazhdojë tu ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.
“Drejtori i PK-së, shprehu mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të suksesshme dhe profesionale në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste,” njoftoi Policia e Kosovës.