Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi dje se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 Shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë. Sipas tij, në bazë të dokumenteve, nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – Millan Radoiçiç është i lidhur me sulmin.
Eksperti i njohur i çështjeve ndërkombëtare dhe sigurisë Ilir Kulla i ftuar në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” se Millan Radoiçiç u fut në kurth nga të tijtë dhe tani ka tre zgjidhje në dorë, mund të tentojë që të rrëzojë Presidentin serb Vuçiç, të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për hapur “Kutinë e Pandorës” por edhe të përfundojë si Prigozhin, që iu rebelua Putinit.
“Operacioni i policisë së Kosovës ishte i shkëlqyer. Madje unë mendoj se duhet të asgjësonte edhe ata që janë kthyer, që kanë shkuar në Serbi. Do të ishte akoma më shkëlqyer. Dinamika është e thjeshtë. Kemi të bëjmë me një situatë të mbartur shumë më parë. Grupe të përgatitura nga forcat speciale të Serbisë. Këto dy grupe, Albin Kurti para dy muajsh i futi në listën e terroristëve. Këta janë ata.
Këta një ditë të bukur guxuan dhe vranë një polic të Kosovës. Mendoj që nuk e kishin në plan ta vrisnin, por të bënin një zhurmë shumë herë më të madhe. Kjo ishte një nga ngjarjet më të rënda nga 1999-ta dhe këtej. Këta njerëz janë shteti paralel de fackto i Serbisë në Kosovë me mbështetjen e Serbisë. Këto nuk janë më imazhe, por konkrete. Emra dhe mbiemra. Atje flitet se ka qenë Radoiçiçi.
Ai është në listën e zezë të SHBA-së. Radoiçiçi për herë të parë është në pozitën që mund të trembë Serbinë. Mund të ishte më komod të ishte vrarë dhe serbët ta kishin shpallur hero aty. Ai di vrasjet që janë bërë në veri, menaxhon dhe kontrollon trafikun dhe kriptovalutat. Ai mund ta kuptojë se është vënë në kurth nga ata që e kanë dërguar, që mendonte se ishin miqtë e vet. Ai tani ka tre zgjidhje.
Ose mund t’i bjerë avioni si ai (Prigozhin) në Rusi, ose mund të lidhet ai me perëndimorët dhe të thotë “ua tregoj unë si është situata e vërtetë dhe ç’kemi bërë” ose të provojë ai të ndryshojë sistemin në Serbi. Nuk e pashë fare komod Vucicin, ishte shumë nervoz. Nga lojërat e brendshme një kryeministër serb është vrarë 20 vite më parë. Millan Radoiçiç mund të flasë dhe ta rrënojë të gjithë atë kështjellë ose mund të mos flasë” tha ai te “5Pyetjet nga Babaramo”.