Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se Kosova nuk e lejoi misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, që të marrë pjesë në hetimet për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, sepse sipas tij, “ata duan të fshehin disa prova”.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje EULEX-it dhe Policisë së Kosovës lidhur me akuzat nga Beogradi, por këto institucione ende nuk kanë kthyer përgjigje. Petkoviç pretendoi se sulmuesit u vranë nga afër pasi u dorëzuan.
“Prandaj, kërkesa jonë kryesore është që një komision i pavarur, së bashku me ekspertët thanë, të kryejnë autopsinë e trupave të serbëve të vrarë,” tha Petkoviç.
Kosova e konsideron si sulm terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, ndërkaq Beogradi mohon se ka gisht në këtë sulm.
Më 27 shtator presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përsëriti këtë qëndrim. Ai tha se nuk e di se cili ka qenë qëllimi i grupit të armatosur që kreu sulmin në veri të Kosovës.
Zyrtarët në Kosovë kanë fajësuar nënkryetarin e Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi Millan Radoiçiç, për udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit.
Këto akuza, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka mbështetur në një video të incizuar me dron, që ka thënë se shfaq Radoiçiçin në Banjskë, të armatosur dhe të veshur me uniformë ushtarake./REL