Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar se aleanca ka miratuar dërgimin e forcave paqeruajtëse shtesë në Kosovë pas trazirave përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
Stoltenberg u ka bërë thirrje palëve të përfshira që urgjentisht të shtensionojnë situatën dhe të kthehen te dialogu si çelësi për sigurinë në Kosovë dhe stabilitet në rajon.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të shtensionojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.