Nisur nga situata e tensionuar momentalisht mes Prishtinës dhe Beogradit, ku pala serbe përveç sulmit terrorist të një jave më parë, sot shtoi edhe numrin e ushtrisë pranë kufirit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me ministra dhe drejtues të ushtrisë dhe policisë ditën e sotme.
Osmani, njëherësh komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pritur si fillim në takim Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Në takim mësohet se u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
Po ashtu, Presidentja Osmani ka zhvilluar edhe një tjetër takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Në takimin e radhës mësohet se u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë.
Osmani mësohet se ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës përballë veprimeve destabilizuese të Serbisë.