Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra,” tha Mojsilloviç në një konferencë për gazetarët në Beograd.
“I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina,” theksoi ai.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë.
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.
Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.