Kryeministri kroat Andrej Plenković u shpreh se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë masat që do të ndërmerren ndaj Serbisë pas sulmit në Kosovë në 24 shtator që kulmoi me vrasjen e një efektivi policie në krye të detyrës.
Ai tha se ka disa masa, si në rastin e Kosovës disa muaj që BE mund t’i marrë pa pasur nevojën e konsensusit nga të gjitha vendet anëtare.
“Bëhet fjalë për masa që KE mund ti marrë edhe pa vendet e BE-së bëhet fjalë për disa prej programeve të BE-së, masa të tilla janë marrë edhe për Kosovën para disa muajsh. Ministrat e jashtëm do i diskutojnë. Këto masa janë ndërmarrë edhe pa aprovimin e të gjitha vendeve anëtare.
Këto janë masa autonome që merren nga BE. Tani pritet që Lajçak do të bëjë një propozim, do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje.
Dhe shpallja e ditës së zisë në Serbi ka qenë e papranueshme, që është mesazh që nënkupton identifikimin me veprën” tha ai.
Edhe Edi Rama kërkoi masat ndaj Serbisë. U shpreh kritik me BE-në që ka deklaruar se do të presë rezultatet e hetimit, kur në fakt sipas tij ajo që ndodhi ishte mjaft e qartë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për masa që duhet të marrin miratimin e të gjitha vendeve, por simetrike si ato që janë marrë për Kosovën, duhet të merren minimumi edhe për Serbinë.
Nëse nuk ka konsensus për të bërë më shumë në nivelin e Këshillit Europian, ka programe, marrëdhënie për të thënë “STOP” dhe nuk mund të pranohet që në mes të Europës, një grup kriminal i armatosur t’i marrë jetën një efektivi policie” tha Edi Rama.