Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve u vendos që në 12 tetor të zhvillohet debati dhe miratimi i rezolutës për Kosovën. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkon mbajtjen e një seance urgjente. “Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar” është shprehur Bardhi.
“Propozoj që debati bashkë me rezolutën të bëhen më 19 Tetor” tha Nikolla, por më pas u vendos data 12. Deputetja Dhurata Çupi kërkoi kujdes dhe jo nxitim. “Nuk mund të nxitojmë. Çdo rezolutë duhet të mbajë ndër mend pozicionin e Shqipërisë që ka në NATO dhe në çdo organizëm. Data mund të rishikohet që të jetë më shpejt, ndoshta të enjten e seancës. Por të hënën nuk mund ta bëjmë dot” tha ajo.
“Shembullin për rezolutë të përbashkët na e dha Kosova. Nuk e kemi kompleks. Rëndësi ka vullneti, mund ta arrimë edhe të hënën” tha Jorida Tabaku. Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kuvend një projekt-rezolutë për ngjarjet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici shqiptar Afrim Bunjaku dhe u plagosën 2 të tjerë.
Në draftin që i është dërguar parlamentit për miratim vlerësohet se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj. Nje draft-rezolutë në Kuvend ka dorëzuar edhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
PS bën gati rezolutën: SHBA dhe BE të ngrenë alarmin kundër Serbisë