Sllovakia filloi sot të kryejë kontrolle kufitare me Hungarinë, për shkak të asaj që e quan, një rritje dramatike të numrit të emigrantëve që kalojnë në territorin e saj.
Numri i emigrantëve që hyjnë në Sllovaki, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, është dhjetëfishuar duke regjistruar afro 40,000 emigrantë këtë vit.
Sipas të dhënave të qeverisë sllovake, emigrantët synojnë të kalojnë nga Hungaria në Sllovaki dhe më pas të shkojnë në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.
Vetëm gjatë muajit shtator, migrimi i paligjshëm në Sllovaki ishte aq i lartë sa gjatë gjithë vitit 2022. Për këtë arsye Bratislava vendosi të fillojë kontrollet në kufi me Hungarinë prej nga vijnë migrantët e paligjshëm. Kontrollet, sipas qeverisë sllovake, do të zgjasin 10 ditë.
Në një vendkalim kufitar në Sahy të Sllovakisë, 90 kilometra në veri të Budapestit, policia sllovake filloi ndalimin e makinave të enjten për të kryer kontrolle.
Ky vendim është në kundërshtim me rregullat e zonës Shengen që mundëson kalim pa kontrolle kufitare mes vendeve të Bashkimit Evropian.
“Diçka duhej bërë patjetër. Ky është një vendim i mirë. Koha do të tregojë nëse ishte vendim pozitiv, apo negativ”, thotë Attila Varga, që kalon çdo ditë kufirin nga Hungaria në Sllovaki ku punon./VOA
Artikulli i plotë këtu.