Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar të premten nga Bashkimi Evropian (BE) t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat, pas një sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të vendit muajin e kaluar.
Gërvalla i bëri këto komente në Ministrialin e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku mori pjesë dhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Por, Gërvalla tha se “masa më e vogël që do të duhej të merrej është ngrirja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian për Serbinë.”
Serbia e mori statusin e kandidatit për t’iu bashkuar BE-së më 2012, një vit pasi nisën bisedimet mes saj dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova aplikoi për këtë status në dhjetor 2022.
“Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë.
A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion,” tha Gërvalla./REL