Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani i kërkon Serbisë që të hetojë autorët e sulmin që vranë në 24 shtator efektivin e policisë në Kosovë. Në krah të Annalena Baerbock dhe Olivér Várhelyi, ndryshe nga sa deklaroi qartë dhe prerë kryeministri i Malit të Zi, që duhet hetim ndërkombëtar, Hasani thotë se hetimin ta bëjnë serbët.
“Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimeve të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë. Një sulm terrorist kriminal në veri të Kosovës, që kushdo që do të mbante detyrën do të reagonte në të njëjtën mënyrë.
Qëndrimi për dialogun për normalizim mbetet i pandryshuar, është në harmoni me SHBA dhe BE. Ne kemi kërkuar zyrtarisht se formati i këtij dialogu duhet ngritur në nivelin e një konference normalizimi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes. Presim që Serbia të nisë një hetim serioz.
Ne presim që Serbia të nisë hetim serioz për grupin terrorist kriminal si edhe lidhjet me trafikantët e armëve, individë dhe subjekte të tjera në Serbia apo gjetkë. Dialogu është rruga e vetme e paqes” tha ai.
I pyetur për gjestin e ministrit serb, Ivica Daçiç që nuk pranoi foton familjare në Tiranë për shkak të flamurit të Kosovës, Hasani tha se “unë respektoj protokollin e formatit dhe kjo ishte arsyeja që i ftova të gjithë të pranishmit që të më bashkoheshin që foton e familjes ta bënim pranë flamujve tanë respektivë” tha ai.