Është e rëndësishme që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të hetohet nga një ekip ndërkombëtar, ashtu siç kërkon Kosova, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ky ekip do të mund të mandatohej nga Kombet e Bashkuara, apo të ishte ekip i përbashkët i disa shteteve.
Skenari më i mirë, sipas tij, do të ishte edhe sikur Serbia të pajtohej me të.
“Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, thotë Ellis, shkruan REL.