Hemorragjia e largimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve europiane ka rritur ndjeshëm kostot te kompanitë prodhuese, nga shtimi i pagave.
Rritja e rrogave në sektorë të ndryshëm varion nga 70% deri në dyfishimin.
Por shtimi i kostove nga fuqia punëtore tashmë është reflektuar me rritje çmimesh te disa mallra dhe shërbime. Sektorë të tjerë siç janë prodhuesit e bukës paralajmërojnë se shtrenjtimi i çmimeve për produktet e brumit mbetet i pashmangshëm.
Erjon Harizi Kryetar i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë tha se në 4 vitet e fundit mungesa e fuqisë punëtore ka shtuar 40% kostot te kompanitë e ndërtimit.
Përveç kostove nga punëtoria, ndërtuesve do të ngarkohen me më tepër barrë fiskale për pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe taksës prej 3% të kontributit për srehimin social.
Për këto arsye Shoqata e Ndërtuesve më herët paralajmëroi që çmimet e banesave të reja do të rriten nga 150 deri 300 euro për metër katror.
Rritja e pagave për mobilierët nga 80,000 deri në nivelin e 120,000 lekëve në muaj, sipas një prej kompanive prodhuese të mobilieve “Trin Mobileri” ka rritur 25% koston e prodhimit.
Drejtuesi i kompanisë Dritan Cacaj tha se për këtë arsye çmimet e mobilieve janë shtrenjtuar 15%.
Ndërsa çmimet e lëndëve të para janë normalizuar duke iu rikthyer niveleve të para pandemisë COVID-19. Pavarësisht rritjes së çmimeve, kërkesa për mobilim mbetet e lartë./Monitor
Artikulli i plotë këtu.