Nesër do të zhvillohet seanca e dedikuar për Kosovën. Kjo seancë e posaçme është rezervuar për diskutime lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra efektivi i policisë Afrim Bunjaku, ndërsa pritet që ligjvënësit shqiptarë të votojnë një rezolutë e cila dënon sulmin e serbëve ndaj policisë së Kosovës.
Axhenda parashikon zhvillimin e një mocioni me debat për këtë çështje, ndërsa i pranishëm do të jetë vetëm kryeministri Edi Rama dhe ministri i jashtëm Igli Hasani që do të shpjegojnë qëndrimet e mbajtura nga Tirana zyrtare deri më tani.
Palët kanë depozituar dy drafte. Sali Berisha dhe Gazment Bardhi deklaruan dje se nuk e votojnë draftin e PS-së që nuk e përmend dhe dënon rolin e Presidentit Vuçiç në ngjarjen e 24 shtatorit duke i qëndruar versionit të tyre.
Por mesditën e sotme pas konferencës së Kryetarëve, Jorida Tabaku dha sinjale se një dakordësi është arritur. “Duket sikur po arrihet një dakordësi për t’iu rikthyer qëndrimit që ka pasur PD-ja për një rezolutë të njëjtë me të Kosovës.
Duke qenë se do të jetë një seancë e veçantë e parlamentit, deputetët e përjashtuar duhet të ishin të pranishëm në këtë seancë, duhet të ishin pjesë edhe në shenjë për të treguar mohimin e askujt të kësaj rezolute. Heqja e të drejtës së këtyre deputetëve për të marrë pjesë është e padrejtë”, tha Tabaku.
Rezoluta konsensuale pritet që të ketë tre pika; Mbështet rezolutën që miratoi Kosova, kërkon hetim ndërkombëtar për ngjarjen dhe inkurajon qeverinë e Albin Kurtit që të punojë pa rezerva me aleatët strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.