Një grua izraelite në lot tregoi para kamerave si e pa gjyshen e saj duke u ekzekutuar nga persona të armatosur të Hamasit. Mor Bayder tha se ajo mësoi për tragjedinë vetëm kur shkoi në Facebook për të parë një postim të ngjashëm tmerrues në llogarinë e gjyshes së saj. Ajo tha se ishte tezja e saj që e lajmëroi fillimisht atë dhe nënën e saj për pamjet e tmerrshme që tregonin momentet e fundit të gjyshes së saj – në një pellg gjaku në dyshemenë e shtëpisë së saj në Izrael.
Duke folur për kanalin televiziv izraelit “Canal 13”, vajza tha se vrasësi e thirri tezen e saj për ta detyruar atë të shihte imazhet e gjyshes së saj “të shtrirë në një pellg gjaku”.
“Mami nuk mund ta hapte fare. Ajo po dridhej. E hapa nga telefoni dhe pashë gjënë më të keqe që mund të imagjinonit. Gjyshja ime në dyshemenë e shtëpisë së saj po vritej në një video. E gjithë dyshemeja e mbuluar me gjak. Gjyshja ime shtrirë atje”, tha Bayder.
“Terroristi thjesht ia mori telefonin, e filmoi dhe e ngarkoi në faqen e saj në Facebook. Kështu e morëm vesh. Bërtitëm me gjithë shpirt. Të gjithë këtu e humbën. Është gjëja më e tmerrshme që mund të imagjinoni të kalonte në mendjen tuaj”, tha ajo e shkatërruar, shkruan “Guardian“.