Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha sot se Ballkani Perëndimor ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, duke ndërtuar tregje dhe politika të përbashkëta me Bashkimin Europian.
Ai i bëri këto komente në Forumin dyditor të Shoqërisë Civile, që po mbahet në Tiranë mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Ky Forum po zhvillohet një ditë para Takimit të Drejtuesve të Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën në kryeqytetin shqiptar.
Në Forumin e Shoqërisë Civile, që po mbahet në Tiranë, folësit kryesorë theksuan se mbizotërimi i ligjit është një parim themelor për integrimin në Bashkimin Europian, ndaj drejtuesit e Ballkanit perëndimor nevojitet të dëshmojnë angazhim dhe rezultate me reformat që kanë ndërmarrë.
Ata pohuan se plani i rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor është një mundësi për ta ndihmuar rajonin në ndërtimin e një tregu të vetëm, që do të mbështesë zhvillimin e këtyre vendeve paralelisht me rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian.
Ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha në Forumin e sotëm se roli dhe angazhimi i shoqërisë civile janë thelbësor për rritjen ekonomike, reformimin e institucioneve dhe hyrjen e rajonit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se lidhja midis njerëzve dhe ekonomive me rajonin dhe me BE-në është detyra parësore për të ardhmen e gjithësecilit, ndërsa mbizotërimi i demokracisë dhe i ligjit është jo vetëm një nevojë e brendshme, por edhe rajonale dhe ndërkombëtare.
“Duke çuar më përpara reformat e brendshme, ne po forcojmë rolin tonë si një partner konstruktiv në rajon, si dhe po japim një ndihmesë thelbësore në sigurinë e Ballkanit Perëndimor,” tha ministri Hasani./VOA
Artikulli i plotë këtu.