Festa dhe euforia e fitores ndaj Çekisë akoma nuk është larguar sidomos tek futbollistët të cilët i dhuruan tifozëve një super dhuratë duke i afruar gjithmonë e më shumë pranë udhëtimit drejt Berlinit për “Euro 2024”.
Pas fitores së 12 tetorit çunat e kombëtares janë rikthyer në fushë për t’u përgatitur për miqësoren kundër Bullgarisë.
Duket se “efektet anësore” të fitores po zgjasin dhe kombëtarja është e qetë dhe në humor për miqësoren.
Në një video të shpërndarë nga FSHF duket lojtarët të cilët po e shijojnë në maksimum ditët pas ndeshjes me Çekinë.
Valle, kërcim dhe humor kanë qenë ato që i kanë shoqëruar këto ditë futbollistët.
Ata kishin një ditë të lirë për të qëndruar pranë familjeve dhe miqve të tyre dhe euforia ka mbizotëruar edhe me kthimin nën urdhrat e Silvinjos, ashtu si në fakt duhet të jetë duke parë paraqitjet që kanë dhuruar.
Pas performancës në kërcim ata rikthehen në stërvitje ku ndërrojnë komplet situatën duke u bërë shume seriozë dhe duke dhënë maksimumin.