Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare. Ahtisaari vdiq në Helsinki.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, ka thënë presidenti aktual finlandez, Sauli Niinistö.
84-vjeçari ishte presidenti i dhjetë i Finlandës, duke shërbyer nga 1994 deri në 2000, dhe i pari që u zgjodh përmes një votimi të drejtpërdrejtë popullor me dy faza, në krahasim me sistemin e mëparshëm të kolegjit elektoral. Në vitin 2008, ai u bë finlandezi i parë që mori Çmimin Nobel për Paqe, shkruan “Bloomberg“.
Çfarë është Plani i Ahtisaarit?
Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.
Ky plan rregullonte një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.
Sot, ekzistojnë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe. Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi – përderisa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.
Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”.