Ish-kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana në një intervistë të mbajtur së fundmi për Euronews Albania ka rrëfyer eksperiencën e veçantë me presidentin e Francës Emmanuel Macron.
Cana gjatë intervistës bëri të ditur se kishte qëndruar për 30 minuta në aeroplanin presidencial si dhe i kishte mësuar Macronit të fliste pakëz shqip.
Këto njohuri presidenti francez i shpalosi mjaft mirë në fjalimin e mbajtur në Tiranë. Për veç veçantisë se Macron foli shqip akoma edhe më e veçantë ishte se ai është presidenti i parë francez i cili viziton Shqipërinë.
“Shumicën çka kishte për të thënë e kuptuam dhe pse jo një shqipe aq të pastër. Në krahasim me sa kur fillova me e mësuar dhe me e stërvit, ishte një nxënës i jashtëzakonshëm dhe shumë i përkushtuar. Besoj se ia ka dalë më së miri.
Duke qenë se ishte vizita e parë historike e një presidenti francez në vendin tonë, në protokollet e tyre ka delegacionin zyrtar që e shoqëron dhe kjo bëhet me propozimet që bëhen nga zyrtarë.
Ishte presidenti që kishte pasur një dëshirë shumë të madhe që të jem pjesë e këtij delegacioni zyrtar francez në vendin tonë dhe sigurisht për mua ishte një kënaqësi që ta pranoja këtë ftesë.
Ishin 20 orë të ngarkuara por shumë të rëndësishme për marrëdhënien e dy palëve. Pata mundësinë që gjatë dy orëve me Macron të ndava 30 minuta me të. Ai është tifoz i çmendur pas futbollit.
Ai ishte i interesuar që të dinte se çfarë bëja unë. Ishte shumë kurioz të dinte për historinë dhe identitetit shqiptar. Pastaj filluam me nisjen e fjalimit që do të mbante në Tiranë”, tha Cana.