Samiti i “Procesit të Berlinit” i lë vendin politikës së brendshme që po përgatitet, por me drejtime të ndryshme. Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar për sfidat në muajt e fundit të vitit që po mbyllet. Ministrja Elisa Spiropali zbardhi detaje nga mbledhja.
“Sot, me kryeministrin Edi Rama vendosëm prioritetet e grupimit tonë politik që lidhen me aktivitetin parlamentar, me adresimin e sfidave me natyrë politike, ekonomike, sociale, por jo vetëm, duke e ngritur punën e grupit në një tjetër nivel përmes një komunikimi të përbashkët, akoma edhe më intensiv në vazhdimësi.
Beteja jonë e vetme është me njerëzit, të cilët kërkojnë dhe meritojnë më shumë prej nesh, ndaj do të bëjmë maksimumin për të qëndruar në koherencë të plotë me çdo kërkesë që vjen prej tyre” shkruan ajo.
Në krahun tjetër opozita e drejtuar nga Sali Berisha po vijon përgatitjet për të bllokuar aktivitetin normal të parlamentit. Pika që derdhi kupën, Gazment Bardhi, tha dje se ishte fakti që opozitës iu rrëzuan tre komisione parlamentare.
“Do të duhet të kemi një qëndrim. Mazhoranca po na bllokon çdo hapësirë institucionale. Kanë asgjësuar parlamentarzimin. Opozita nuk duhet të lejojë që të zhvillohet aktivitet normal parlamentar” tha ai. Sali Berisha ishte më i butë duke kërkuar që më parë të informohen ndërkombëtarët për gjithçka ndodh në Shqipëri.
Por deputeti Bujar Leskaj kërkoi që të shkohet përtej asaj që tha Gazment Bardhi. “Duhet të marrim hap pas hapi të gjitha mundësitë e reagimit, duke shkuar edhe deri në ekstrem, në grevë urie, siç ka bërë Pjetër Arbnori në vitin 1997”, tha ai. Beteja duket se do të fitojë që nga seanca e radhës plenare ditën e enjte.