Nenadi nga Mitrovica e Veriut nget një veturë me targa KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe, së cilës ia ka rinovuar regjistrimin rreth gjashtë muaj më parë. Por, ai nuk mund ta përdorë atë për të lëvizur në jug të Ibrit dhe as për të shkuar në Serbi.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se e ka kufizuar lëvizjen e tij duke e zgjatur regjistrimin në sistemin serb dhe ka shtuar se i vjen keq që nuk i ka marrë me kohë targat RKS (Republika e Kosovës).
“Po prisja të shihja sa njerëz do të regjistroheshin (në targa RKS), dhe pastaj do të vendosja”, thotë Nenadi.
Targat KM lëshohen nga autoritetet serbe, dhe pas marrëveshjes me Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, regjistrimi rinovohet në bazë të dekretit të Qeverisë së Serbisë, pa lëshuar fleta regjistrimi.
Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.
Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.
Afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM./REL
Artikulli i plotë këtu.