Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin “Opinion” ka folur në lidhje me bisedën e tij me presidentin francez Emmanuel Macron për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.
Rama u shpreh se Macron i tha se nuk do të hapë rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë së planit franko-gjerman.
“Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët ai është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman,” u shpreh Rama.
I pyetur se pse Macron duhej të vinte ta bënte në Tiranë atë deklaratë Rama u shpreh se nuk ka fuqinë ti thote një presidenti se çfarë të thotë.
“A thua se e kam unë gjithë fuqinë t’i them Presidentit francez, do bësh, këtë, do bësh atë. Përkundrazi, por kjo është një tjetër, nuk ka rëndësi se unë jam mësuar me këtë.
I këshilloj ta lexojnë mirë atë që tha sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti.
Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për ti bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës,” shtoi ai.