Presidenti Bajram Begaj ka kthyer ligjin për shtetësinë. Ky është ligji i dytë që kreu i shtetit i kthen qeverisë Rama në më shumë se një vit në detyrë. Ligji u miratua në 21 shtator. Por cilat janë arsyet që Presidenti kthen ligjin për rishqyrtim?
Bajram Begaj thotë se nga procesverbali i seancës plenare dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.
Sipas tij, për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.
Për nga përmbajtja, Presidenti thotë se dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozita substanciale të Kushtetutës. Dispozitat e ligjit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit.
Fitimi i shtetësisë me natyralizim sipas Konventës, sipas kreut të shtetit ka kusht të detyrueshëm qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar përpara depozitimit të aplikimit. “Kohëzgjatja e periudhës së rezidencës varet nga vullneti i ligjvënësit. Konventa, nga ana e saj, kërkon vetëm që kjo kohëzgjatje të mos jetë më e madhe se dhjetë vjet.
Interesi kushtetues e kërkon që Kuvendi të marri në konsideratë riskun që mbartin këto dispozita në raport me përputhshmërinë e tyre me Konventën Evropiane për Shtetësinë dhe të vlerësojë me seriozitet rishqyrtimin dhe vlerësimin e tyre në Komisionet përgjegjëse Parlamentare” thotë Begaj.