Një 38-vjeçar është arrestuar në Durrës me akuzën se modifikonte dhe riparonte armë zjarri dhe ua shiste grupeve kriminale.
Ai është Lorenc Luku, i cili më parë rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, kishte përshtatur banesën e tij për riparimin dhe për shitjen e armëve, municionit luftarak dhe sendeve të tjera.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri tip “Scorpion” me silenciator, 3 skelete pistoletash, një sasi e konsiderueshme fishekësh të armëve të zjarrit dhe të gjahut, 9 celularë dhe 5 ora dore të markave të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.