Përderisa luftimet mes grupit militant palestinez, Hamas, dhe Izraelit po intensifikohen, Irani është bërë më i zëshëm lidhur me mundësinë e fuqisë shtesë të zjarrit për të shënuar fitore në atë që Teherani e quan “bosht të rezistencës” ndaj Izraelit.
Boshti, i perfeksionuar nga Republika Islamike gjatë katër dekadave të fundit, është rrjet bashkëpunëtorësh, grupesh militante të mbështetura nga Teherani, aktorëve të tjerë shtetërorë që luajnë rol të rëndësishëm në strategjinë e Iranit për të sfiduar Perëndimin, armiqtë arabë dhe më kryesorja, Izraelin.
Aktivë në Rripin e Gazës, Liban, Irak, Siri dhe gjetkë, ky rrjet i mundëson Iranit të krijojë kaos në territorin e një armiku, dhe në të njëjtën kohë i mundëson që të mohojë se është i përfshirë.
Në rastin e konfliktit të fundit, ku është përfshirë Hamasi i Gazës që mbështetet nga Irani, sa më e fortë përgjigja e Izraelit dhe sa më e madhe të jetë goditja nga Izraeli ndaj armiqve shiitë dhe sunitë në rajon, aq më mirë për Iranin, thanë ekspertët.
Kjo strategji daton edhe para Revolucionit Islamik të vitit 1979, thanë ekspertët, por u riemërua si boshti i rezistencës nga Forcat Kuds, krahu elitar që vepron jashtë shtetit i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
“Termi i ri ‘boshti i rezistencës’ përshkruan një fenomen të vjetër: çdo individ apo grup që ka vullnet të luftojë luftërat e Iranit në këmbim të financimit, armëve, trajnimeve ushtarake dhe mbështetjes së inteligjencës”, tha për Radion Evropa e Lirë Ali Alfoneh, hulumtues i lartë në Institutin arab për Shtetet e Gjirit, me seli në Uashington. (lexo ketu te plote)