Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen në gjimnazin “Hydajet Lezha” cila tronditi paraditen e sotme qytetin bregdetar.
Burime për gazetaren e “5pyetjet.al”, Nevila Filipaj kanë raportuar se 16-vjeçari që goditi me karrige mësuesen përveç se është arrestuar është përjashtuar menjëherë nga shkolla.
Por le të rikthehemi edhe një herë në momentin e dhunës. Çfarë ndodhi dhe si agravoi situata deri në plagosjen e mësueses, Majlinda Palushi?
Sipas të njëjtit burim nxënësit kanë qenë duke bërë zhurmë kur mësuesja ka reaguar.
Gjatë debatit kjo e fundit i është drejtuar 16-vjeçarit se do ta ngelë duke i përmendur dhe duke iu betuar me eshtrat e babait të saj dhe të babait të nxënësit.
Kjo ka bërë që djali të humbë toruan dhe nga distanca ka “fluturuar” karrigen në drejtim të mësueses. Ajo nuk ka pasur kohë të reagojë për ta shmangur dhe u godit në pjesën e qafës dhe krahut.
Mësohet se ajo direkt është përgjakur dhe nxënësit kanë shtangur.
16-vjeçari pas këtij akti nuk ka ndaluar por i është afruar mësueses për ta goditur më tej. Ndonëse të tronditur dhe të shokuar nxënësit e tjerë kanë reaguar duke i ndarë.
Pas ngjarjes lajmi u përhap menjëherë ku e para u njoftua mësuesja kujdestare e klasës dhe më pas u alarmua gjithë shkolla.
Mësuesja është dërguar me ambulancë në spitalin rajonal të Lezhës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burimi ynë shtoi se për shkak të dëmtimit në krah kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale e cila nuk dihet nëse do të kryhet apo jo.
“Të betohem për eshtrat e babit…”! Si nisi sherri që nxënësi qëlloi mësuesen me karrige?