Një ditë para vizitës së tij në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se takimet e planifikuara nuk janë të lehta, por Serbia është e gatshme të bisedojë për planin e ri të të dërguarve evropianë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ata po trokasin në derë të hapur,” tha Vuçiç më 25 tetor për Radio Televizionin e Serbisë.
Plani është prezantuar nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, gjatë takimeve që kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel më 26 tetor për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Në këto takime do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Vuçiç tha për transmetuesin publik serb se ai po ashtu do të takohet me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Lideri serb tha se pozicioni i shtetit të tij është bërë edhe më i vështirë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës.
Ai përkujtoi se “shumica e shteteve të fuqishme perëndimore” veçse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ata vetëm do të kërkojnë për mënyrën se si ta bindin Serbinë të pajtohet për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës,” tha Vuçiç.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është planifikuar një takim midis Kurtit dhe Vuçiçit./REL
Artikulli i plotë këtu.