Prej gati gjysmë viti, kryetari i komunës së Leposaviç, Lulzim Hetemi ndodhet i ngujuar në zyrën e tij.
Por nga të gjitha zhvillimet në vend, akuzat, deklaratat për gati gjysmë viti, Hetemi mban mend veçanërisht disa fjalë të kryeministrit Edi Rama, i cili herë pas here e ka përmendur atë duke e quajtur “kryeministër kukull”.
“Në fillim me të thënë të vërtetën fort jam shqetësuar. Mendojsha për çka jam unë këtu. Këtu dy rrugë janë, ja me ecë e me e lënë këtë territor qysh tha Rama tokë e shkretë, tokë e askujt, por mua s’ma ka marrë mendja me e lënë. Sa i përket fjalëve, çka me thënë…,” tha ai në një intervistë për RTK-në.
“Ose duhet me ecë, me shku në jug e me e lënë tokë të askujt qysh tha.. se kryeministër i Shqipërisë ka emër të madh, por z. Rama që ka thënë, dhe që është marrë dy-tri herë me mua shaka duke bë, po dihet.. po i del fytyra edhe atij që është një kryeministër kukull aty në shtetin amë, në Shqipëri,” shtoi Hetemi.
Rama ka ironizuar jo pak herë me ngujimin e Hetemit brenda objektit të komunës. Kur fliste për të, i referohej me Oso Kuka, emrin e kapitenit të rojeve të kufirit osmano-malazez në shekullin XIX, i cili mbahet në mend kryesisht për historinë e tij të vetëflijimit.
Në një luftim me ushtarë malazezë, Oso Kuka kishte vrarë veten, duke u bërë më pas personazh edhe i shumë veprave letrare shqipe.