Foto ilustruese
Një 26-vjeçar u arrestua në Himarë duke drejtuar motorin në krah të kundërt. Në momentin e ndalimit dhe gjatë shoqërimit, i riu theu me grusht xhamin e makinës së policisë.
“Në vijim të veprimeve procedurale dhe hetimore të kryera nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 26 vjeç, banues në Himarë, pasi mbrëmjen e djeshme, në rrugën e Portit, Himarë, është konstatuar nga shërbimet duke drejtuar motomjetin në sens të kundërt dhe pa dokumentacion të rregullt dhe gjatë shoqërimit për veprime të mëtejshme procedurale, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë si dhe ka thyer xhamat e pasëm të automjetit të Policisë” njofton policia.
Gjithashtu një 49-vjeçar u arrestua pasi kërcënoi dhe dhunoi nënën. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin D. D., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij” njoftoi policia.