Zëdhënësja e departamentit anti-korrupsion në selinë blu, Genta Vangjeli denoncoi sot për tenderat Adriatik Kupin, i cili është drejtor i drejtorisë së Tensionit të Lartë në OSSH dhe gjithashtu kryetar i PS-së për Farkën, Petrelën, Berzhitën dhe Ibën.
“Në disa raste të mëparshme Partia Demokratike, ka denoncuar Adriatik Kupin për shkelje të dispozitave ligjore të paracaktuara nga Kodi Zgjedhor. Detajet e këtij denoncimi janë pjesë e Librit të Zi të Zgjedhjeve: Farsa Elektorale e 14 majit 2023. Përveҫ sa më lart, në adresën tonë, ka mbërritur denoncime lidhur me Adriatik Kupin, në cilësinë e Titullarit të Drejtorisë së Tensionit të Lartë pranë OSSH sh.a.
Ankuesit ngrenë shqetësimin se Adriatik Kupi pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 Majit ka prokuruar miliona euro fonde publike në kuadër të rikuperimit të parave të përdorura për blerjen e votave.
Adriatik Kupi, në rresht dhe nën shembullin e eprorëve të tij, të cilët nga ana e tyre ndjekin shembullin e Edi Ramës, nuk kapen nga radarët e SPAK. Prokuroria e Posacme është e zënë me persekutimin politik të opozitës nëpërmjet dosjesh pa fakte dhe dyshimesh që nuk bëhen dot akuza.
Edi Rama i ka ndarë shqiptarët në vegla dhe në armiq. Veglat vjedhin për të dhe për mbajtjen e pushtetit ndërsa armiqve u lëshohet SPAKU” tha ajo.