Projektligji do të rishikojë kategorizimin e pasurive të paluajtshme që do të taksohen, koeficientët e taksimit, si për ndërtesat, edhe parcelat. Ndër të tjera, drafti rishikon edhe kategoritë e reja që do të përjashtohen në të ardhmen nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme.
Përfundimi i Kadastrës Fiskale do të jetë sistemi i decentralizuar që i vjen në ndihmë pushtetit vendor me më tepër të dhëna për pasuritë e paluajtshme, në funksion të miradministrimit të taksës.
Projektligji i ri i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” parashikon se nga 1 janari 2026 do të zbatohet taksa mbi pasurinë e paluajtshme bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat dhe nga 1 Janari 2028 do të zbatohet taksa mbi pasurinë e paluajtshme bazuar në vlerën e tregut për parcelat.
Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, në intervistën për “Monitor”, solli shembujt konkretë të llogaritjes së detyrimit për kategorinë e ndërtesave dhe parcelës me shkallën e re të taksimit që parashikohet të zbatohet në të ardhmen, e mbështetur te vlera e tregut.
Vjero tha se për të amortizuar shtimin e detyrimit te taksapaguesit do të ndryshojë mënyra e pagesës. Për taksën e mbi pasurinë e paluajtshme, mënyra e pagesës është përcaktuar të jetë me dy këste, jo me pagesa mujore siç zbatohet aktualisht.
Për banesën e parë, drafti parashikon edhe zbritje 50% të vlerës së vlerësuar, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i përcaktuar në dokument. Ndërsa parashikon që për dy vitet e para, pronarët e parcelave do të paguajnë 50% të detyrimit.