Lulzim Basha bëri një postim dje në rrjetet sociale që nuk kishte dyshim se ishte edhe një mesazh i koduar për atë që po ndodh në aktualitetin politik në vend në javët e fundit. Kryetari i PD-së së vulës ishte me bashkëshorten për të ndjekur vënien në skenë në Universitetin e Arteve të veprës së dramaturgut rumun Eugène Ionesco me titull “Mbreti po vdes”.
Sapo e postoi reagimet në faqen e tij në Facebook ishin të shumta. Shumë prej tyre e lidhën “Mbretin” me atë që po i ndodh Sali Berishës pasi SPAK-u i vuri dy masa sigurie. Gjuhës së koduar të Bashës në të njëjtën mënyrë i është përgjigjur edhe deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj.
Në të njëjtën mënyrë, pa lakuar asnjë emër, por me kode, Gjekmarkaj në një postim në Facebook shkruan për një “Mbret që po vdes” dhe një “eunuk që nuk bëhet dot Mbret”, që qartësisht duket se i referohet vetë Lulzim Bashës që pavarësisht manovrave me rikthimin e tij në krye të PD-së nuk do të bëhet kurrë.
“”Mbreti po vdes” po një ditë vdekja vjen për të gjithë po varet se “si ja kthejmë asaj buzëqeshjen”. Edhe kur Mbreti vdes eunuku mbetet eunuk dhe nuk dimë asnjë rast që ai Mbret të behet”, shkruan Gjekmarkaj.