45 minuta kaos dhe grushte. Kjo ishte panorama e seancës së sotme të parlamentit të Shqipërisë. Opozita nuk lejoi zhvillimin normal të seancës për shkak se akuzon se po i shkelen të drejtat. Lindita Nikolla i injoroi duke mos u dhënë fjalën për procedurë demokratëve, por kaloi tek rendi i ditës duke u dhënë të drejtën socialistëve që të shprehin shqetësimet e problemet që kishin hasur në javën e gjelbër.
Por deputetët e PD-së nuk i lejuan socialistët që të flasin. Flamur Noka, Edi Paloka dhe Bledion Nallbati ishin ndër më aktivët. Deputeti Nallbati i tërhoqi mikrofonin socialistit Vullnet Sinaj. Kaq mjaftoi që situata të precipitonte në grushte mes deputetëve. Nallbati u përjashtua nga seanca për dhunë. Në fund Lindita Nikolla e mbylli seancën e sotme.