Profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer ka reaguar në lidhje me takimin e zhvilluar ditën e sotme në Beograd mes Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Në këtë takim Von der Leyen i kërkoi Serbisë njohjen “de facto” të Kosovës ndërsa palës së Kurtit i kërkoi të themelojë Asociacionin.
Në lidhje me deklaratë ka reaguar Serwer i cili u shpreh se njohja de facto e Kosovës nga ana e Serbisë do të mund të nënkuptonte edhe një dhënie fund të dislokimeve ushtarake të Serbisë që kërcënojnë Kosovën
“Mendoj se do të thotë pranim i dokumenteve të Kosovës, diplomave, etj. Duhet të nënkuptojë gjithashtu përfundimin e dislokimeve ushtarake që kërcënojnë Kosovën dhe pranimin e Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, duke përfshirë veriun, si dhe pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare pa bërë opozitë pala serbe”, tha ai për gazetën Express.
Me pranimin de facto të pavarësisë nga Serbia, Kosova shpreson të sigurojë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, për këtë nuk është shumë optimist Serwer.
“Deri më tani, përgjigjja e Vuçiçit ka qenë e qartë “jo””, tha profesori amerikan i cili shtoi se nuk mendon që Serbia do të pranojë kërkesën e Perëndimit për të njohur Kosovën de facto.
“Serbia e dëshiron Asociacionin pa asnjë lëshim ndaj Kosovës”, shtoi ai.