Konflikti prej vitesh mes dy pronarëve, Albert Allmuca i kompanisë “Star Construction” dhe Sino Llanaj ka lënë në qiell të hapur banorët e 120 familjeve që kanë prentotuar dhe paguar apartamentet në një kompleks pallatesh në zonën e ish “Parkut të Autobusave”.
Ata protestuan ditën e sotme para prokurorisë së Tiranës dhe kërkuan të marrin banesat e tyre. Katër banorë që kishin blerë banesa në këtë pallat, kishin bërë ankim për të marrë banesat e tyre.
Një vendim i dhjetorit 2022 nga Gjykata e Apelit, detyron Prokurorinë të ekzekutojë vendimin për të gjithë familjet.
Kjo nuk është hera e parë që këta banorë protestojnë, ndërsa më parë kanë mbajtur protesta edhe para Bashkisë së Tiranës.
Dy ndërtuesit u konfliktuan më 13 janar të vitit 2021, sherr që përfundoi në plagosjen e njërit prej tyre, ndërtuesi Sino Llanaj.
Dy biznesmenët Llanaj dhe Allmuça janë në konflikt prej kohësh për pallatin në fjalë, projekt që e kanë nisur së bashku për ta përfunduar brenda vitit 2019.