Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë njoftoi sot një rritje të re të normës bazë të interesit të monedhës vendase lek, me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në kuotën e 3.25 përqind.
Gjatë vitit 2023, inflacioni njohu një tendencë rënëse dhe sipas të dhënave zyrtare ai shënoi “shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, i diktuar nga rënia e inflacionit të importuar”.
Por pavarësisht kësaj, Banka Qendrore ka vlerësuar se “presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart”.
Siç shpjegoi guvernatori Gent Sejko “reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm.
Ai faktorizon nevojën për një rol më aktiv të politikës monetare në drejtim të balancimit të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, përkundrejt pritjeve për një ecuri më të stabilizuar të kursit të këmbimit dhe një politike fiskale më neutrale në horizontin afatmesëm.
Rritja e normës bazë të interestit u sugjerua dhe nga misionit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundim të takimeve të cilat u përmbyllën javën e shkuar.
Pas një periudhe të gjatë 13 vjeçare, gjatë së cilave norma bazë e interesit kishte njohur vetëm ulje, duke rënë në minimumin historik prej 0.5 përqind, Banka e Shqipërisë ndërhyri për herë të parë në mars të vitit të kaluar, kur inflacioni dha shenjat e para të rritjes. Gjatë vitit të kaluar ajo ndërhyri, me rritje të njëpasnjëshme, dhe katër herë të tjera, si dhe së fundmi në mars të këtij viti./VOA