Ministri për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiç akuzuar Listën Serbe se ka shkaktuar vetëm dëme për qytetarët serbë në Kosovë.
Rashiç e quajti atë “Lista antiserbe”, duke shtuar se si shkak i tyre një e treta e serbëve kanë ikur nga Kosova.
“Është një përpjekje shumë e dobët sa i përket pastrimit të fytyrës. Unë te ju jam më i butë, në media serbe them se ata janë lista antiserbe, ajo ka bërë më shumë keq brenda 11 viteve se cilido organ tjetër, kjo po vazhdon. 1/3 e serbëve janë zhvendosur për shkak të tyre”, tha ai në RTV Dukagjini.
Rashiç foli edhe për ndryshimet në kryesinë e Listës Serbe, duke thënë se janë ndërruar disa emra, por mendësia ka mbetur e njëjtë.
“Është tragjikomike, me çfarë arrogance po ndëshkohen qytetarët serbë të Kosovës, duke pasur të njëjtën metodologji, të njëjtën fotografi, të Vuciçit, duke i ndërruar vetëm disa emra që nuk do të thotë asgjë, metodologjia është e njëjtë”, tha ai.
Sipas Rashi@, ndikimi i Listës Serbe te serbët e Kosovës është zbehur, derisa shtoi se anëtarë të kësaj partie kanë abuzuar edhe me buxhetin e Serbisë.
“Në tërësi atë ndikim të them ashtu në përgjithësi të Listës antiserbe është zbehur, qytetarët e kuptojnë se aktivitetet që i kanë bërë kanë qenë vetëm interesa personale, kanë punuar jo për numër të madh të njerëzve, kanë punuar për 10 njerëzve që i kanë përfituar benefitet.
Shpëlarja e parave ka qenë ekstreme, Radimoraviç, e ka në Facebook e qet për çdo ditë ka tre katër fatura origjinale nga Leposaviqi, dhjetëra milionë, keqpërdorim të parave nga buxheti i Serbisë, një komunë kaq e vogël, të ketë dhjetëra milionë në fatura, tregojnë shpëlarje parash”, tha ai.