Në orën 10:00 nis seanca plenare e ditës së sotme në Parlament, të cilën opozita ka paralajmëruar se do ta bllokojë, ashtu sikur ka ndodhur në dy rastet e fundit, por edhe dje në komisionet parlamentare.
Gjashtë deputetë të PD-së janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament javën e kaluar; Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi me 10 ditë, ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.
Opozita deklaron se është e detyruar dhe se këtë sjellje e ka të imponuar nga mazhoranca që nuk respekton të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare.
“Për sa kohë nuk lejohet funksionimi i opozitës, nuk do të ketë veprimtari normale të jetës parlamentare” deklaroi dje Gazment Bardhi. “Nuk ka më paqe” theksoi më tej Sali Berisha.