Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.
“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha Kurti. Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” (që në gjuhën serbe do të thotë Asociacion) të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse “asisoi do të ishte i padiskutueshëm“.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se çuditërisht Kryeministri i Kosovës e ka pranuar Asociacionit në një kohë të çuditshme. “Në thelb, Kryeministri i Kosovës, ka bërë atë që kishim paralajmëruar se do ta bënte që në shkurt të këtij viti. Pra do të pranojë Statutin e Asociacionit, që shumica e sotme i ka dhënë dikur emrin Zajednicë. Përkundër refuzimit të vazhdueshëm nga atëherë se ky pranim po ndodhte, Statuti i Asociacion na vie çuditërisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë” ka thënë ai. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i tha Kurtit se vuan nga kompleksi i madhështisë. “Kryeministra ka pasë, liderë ka pas, ka do të ketë. Do mbahen men do s’mbahen. Po ti ki qejf me qenë të llozha e parë, qaty me Hashim Thaçin me Ibrahim Rugovën”, ka thënë Krasniqi.
Drafti i ri për Asociacionin? Kurti: Nuk ka qëllim minues për Republikën