Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka denoncuar se Koncesioni i Butrintit u “qep” me një ligj me porosi dhe klientelist. Deputetja ka publikuar disa dokumente ku sipas saj, “qeveria e pranon me shkrim se ligji është pa rregulla dhe antikushtetues”. Aktualisht dosja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata e pyet Qeverinë:
– A ka një rekomandim se menaxhimi i mëparshëm po shkaktonte humbje dhe a ka ndonjë studim fizibiliteti, bazuar në të cilin rezultoi që shteti nuk kishte më as kapacitetet njerëzore dhe as ato financiare që të procedonte me administrimin e Butrintit, siç kishte bërë deri në atë moment? Nëse po, a mund të na i vini në dispozicion një kopje të këtij dokumenti bazuar në të cilin kjo iniciativë u konsiderua si e vetmja e mundshme?
Qeveria i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese. Ja ku është përgjigja me shkresë nr. 1177/21 prot, datë 16.10.2023.
Përgjigjja është në fakt, epike, komike dhe për të ardhur keq njëkohësisht.
– Dokumenti që jemi bazuar për dhënien me koncesion është Plani i Menaxhimit të Butrintit që është hartuar me mbështetjen, pra me pagesën të AADF-së, pra me mbështetjen e partnerit që më pas e mori vet me koncesion në administrim. Sipas këtij dokumenti, Parku Kombëtar i Butrintit ka shumë probleme në menaxhim dhe duhet dhënë me koncesion.
Pastaj qeveria e studion me ‘shumë vëmendje’ këtë Plan Menaxhimi, ku AADF i thotë se ka shumë probleme, e miraton me vendim, dhe bën një ligj specifik, që më pas këtë pasuri botërore ta marrë, po vetë AADF me koncesion, por nëpërmjet krijimit të Fondacionit për Mbrojtjen e Butrintit. Qeveria shprehet në gjuhë popullore : ‘Na e tha AADF që duhet ta jepnim me koncesion AADF’” shprehet Zhupa.