Hipja mbi portën dhe futja nga dritarja e Kryesisë së Kuvendit të deputetëve të PD-së bënë xhiron jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të mediave të botës. I ftuar në studion e emisionit “5Pyetjet nga Babaramo” deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi u shpreh se demokratët me veprimet e fundit e kaluan vijën e kuqe.
“Nëse në mendjen e ftohtë të gjithsecilit do të mbizotërojë ligji, këto skena nuk do i kishim, por kjo që ndodhi sot, nuk është se nuk pritej, por nuk pritesh ndoshta këto ekzaltimet dhe futjet nga dritarja, por mesa duket PD nuk lë asnjëherë pa surprizuar.
Por gjërat kanë një lidhje dhe është një strategji e PD-së për të acaruar situatën politike që vjen edhe për situatën e re që ka ndodhur apo që pritet që të ndodhë me SPAK-un.
Ju i keni kaluar vijat e kuqe, shikoni tek vetja, mos i kërkoni tek të tjerët, hallet dhe problemet i keni brenda jush. Ju keni provokuar në historinë tuaj deri tek vrasjet dhe gjakosjet” tha ai.
Demokrati Saimir Korreshi u shpreh se nuk ishte i përjashtuar nga punimet e Kuvendit dhe dera për të ishte e mbyllur. Ai tha se nuk ka halle personale dhe se nuk bën betejë për problemet e Sali Berishës, referuar dosjes “Partizani”.
“Nuk kam lidhje me avokatinë e kolegëve deputetë. Nuk ka pasur ndonjëherë parlamenti shqiptar që të mbyllë dyert e deputetëve të opozitës. Ju shikoni pasojat e hipjes nga dritarja, por duhet të pyesni pse nuk u lejua Saimir Korreshi që të futet në parlament, por u detyrua që të marrë hekurat.
Kush e dha urdhrat? Cili nga gardisti komandoi të tjerët dhe kush e dha urdhrin. Kjo nuk ka nisur si pasojë e problemit personal Berishës. Ishte më herët sesa arrestimi i dhëndrit të tij nga SPAK-u. Kush ka vjedhur të shkojë në kokërr të burgut” tha ai.