Komisioni i Ekonomisë është mbledhur online ditën e sotme për të diskutuar për projektbuxhetin e vitit 2024 për shkak se opozita ka bllokuar javën e parë punimet normale. Deputetja e PD-së, Sorina Koti kërkoi që mbledhjet t’i rikthehen normalitetit.
“Ne po na shqetëson zhvillimi i mbledhjeve online. Ne jemi në sallën e komisionit, mirë do të ishte që të ishim këtu. Kemi kërkuar një vendim të kryetares së Kuvendit për mbledhjet online, nuk jemi në situatë të jashtëzakonshme, nuk ka shpërthyer as ndonjë luftë.
Shpresoj që demokracia t’i rikthehet këtij komisioni. Unë e mirëkuptoj largimin tuaj ditën e mërkurë, por ju lutem mos na hiqni të drejtën për të folur. Ndoshta edhe kolegët e tjerë të PS-së do të reflektojnë” tha ajo.
Por kryetari i komisionit, Eduart Shalsi i kërkoi që të zgjidhnin mes normalitetit dhe Berishës. “Çfarë bëtë ju kur u bllokua dera e komisionit, donit mbledhje, apo të pengonit punimet e komisionit. Dakord jemi t’i bëjmë mbledhjet normale.
Nuk ishte ti që e bllokove derën por kolegët e tu. Ne do të vijojmë rrugën tonë. Do të bllokoni derën apo doni komisione normale. Jeni gati që t’i lini non gratat të mos ju marrin peng? Ky është problemi që keni” tha ai.