Partia Demokratike, (PD) më e madhja në opozitën e Shqipërisë ka kërkuar interpelancë në Parlament lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni. Sipas saj kjo marrëveshje cënon sigurinë publike dhe nuk ka transparencë. “Siguria brenda zonave të përcaktuara në marrëveshje do të garantohet nga pala italiane, që ka detyrimin për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në perimetrin e brendshëm.
Pala shqiptare angazhohet të ruajë rendin dhe sigurinë në perimetrin e jashtëm si edhe gjatë transportit të migrantëve nga njëra zonë në tjetrën. Pala shqiptare ka rezervuar të drejtën për të pasur akses në zona vetëm në rast rreziku potencial, që do të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme”, tha Ministri Balla për DW.
Në Gjadër do të akomodohen vetëm ata migrantë azilkërkues që do të riatdhesohen. “Migrantët nuk do të lejohen të dalin jashtë zonave të caktuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit në territorin shqiptar”, sqaron ministri Brendshëm Balla. Sipas tij të “gjitha shpenzimet për ngritjen e qendrave dhe infrastrukturës së tyre në zonat e caktuara lidhur me sigurinë do të mbulohen 100 përqind nga pala italiane.”