Të mërkurën, forcat tokësore izraelite në Rripin e Gazës filluan operacionet për gjetjen dhe eliminimin e rrjetit të gjerë të tuneleve të përdorura nga militatët e Hamasit që kontrollon enklavën. Kjo përbën fazën e radhës së ofensivës izraelite, ndërsa njoftohet për mijëra të vrarë palestinezë.
Izraeli ka kryer operacione ushtarake nga ajri dhe toka pas sulmit të armatosur të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit që vrau 1,400 njerëz dhe mori 240 pengje. Operacioni izraelit e ka ndarë Gazën në dy pjesë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se trupat xheniere po përdorin mjete shpërthyese për të shkatërruar një rrjet tunelesh të ndërtuara nga Hamasi, që shtrihen disa qindra kilometra nën Gaza.
Nga ana tjetër Izraeli ka thënë se nuk do të ketë negociata për armëpushim deri në lirimin e pengjeve. Hamasi ndërkohë është shprehur se nuk do të ndalojë luftimet ndërsa Gaza ndodhet nën sulm.
“E sfidoj (Izraelin) nëse ka qenë në gjendje, deri në këtë moment, të citojë ndonjë arritje ushtarake në terren përveç vrasjes së civilëve”, tha për televizionin Al Jazeera zyrtari i lartë i Hamasit, Ghazi Hamad.
Zyrtarët palestinezë të mjekësisë thanë se të paktën 23 persona u vranë në dy sulme ajrore izraelite të martën në qytetet jugore Khan Younis dhe Rafah. Njoftimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.